Protesta e opozitës , zbulohen prapaskenat nga marshimi te çadra
Nga Isuf Kurtaj
Tymnajës së hedhur në hava në media në lidhje me skenarët që do të ndiqen sot nga opozitarët gjatë dhe pas protestës, i është përgjigjur vetë kreu demokrat Lulzim Basha. Dhe pse nuk ka dhënë detaje në lidhje me agjendën e protestës, ai saktësoi se protesta në çadër nuk do të mbyllet deri sa të triumfojë kauza e opozitës, madje siç tha ai, do të shënojë krijimin e Republikës së Re, duke hedhur poshtë hamendësimet se pas protestës së sotme, PD-ja do të mbyllet çadra dhe do të nisë një fazë të re të mosbindjes civile “Nesër do të jetë bashkimi më i madh në histori. Vendi ndodhet në vigjilje të krijimit të republikës së re. اadra nuk do të mbyllet por do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimit të plotë, atë të republikës së re. Deri në fitoren totale të kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme, që do të jenë të vetmet që do të mbahen në Shqipëri”.
Agjenda
Deputetët, kryetarët e degëve dhe strukturat janë angazhuar në takim me qytetarë ndërsa udhëzimi i kryetarit Basha është që protesta të tejkalojë për nga pjesëmarrja 18 shkurtin. Forumi rinor është angazhuar në gjithë Shqipërinë. Pjese e përgatitjes, janë trokitja derë më derë dhe ftesa ndaj çdo qytetari për tu bërë pjesë e protestës. Për nga skenari protesta është e ngjashme me atë të 18 shkurtit. Qytetarët do të mblidhen rreth orës 11:30 në sheshin mes ministrive. Kryetari i opozitës Lulzim Basha, i shoqëruar nga të rinj do të marshojë nga “selia blu”, në bulevardin “Zhan Dark”, për t’iu bashkuar protestuesve në bulevard në krahë të hotel “Dajtit”, ku bashkë me ta do ti drejtohet sheshit para kryeministrisë. Në podiumin e vendosur para asaj që është pagëzuar nga protestuesit si “çadra e lirisë”, do të ngjiten qytetarë për të përçuar problemet e tyre, ndërsa mesazhet e fundit politike, bashkë me mënyrën se si do vazhdojë protesta, do të jepen nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Mësohet se protesta, sipas njoftimit zyrtar, do të zgjasë 8 orë, deri në ora 20:00.
Paralajmërimi
Në ditën e 84-të të protestës, Basha në fjalimin e tij para protestuesve në çadër, vlerësoi rezistencën gati tremujore të demokratëve, duke i premtuar atyre se kjo sakrificë do të shpërblehet me krijimin e Republikës së Re, e cila sipas tij do të drejtohet prej tyre. “Ju përgëzoj nga zemra për këtë rekord të ri të lëvizjes sonë qytetare, kombëtare dhe popullore, për mbylljen e javës së 12-të të qëndresës suaj 24 orëshe. Janë 12 javë, pra 3 muaj qëndresë dhe nesër kjo qëndresë do të inaugurojë Republikën e Re, nga ky shesh i bashkimit më të madh i shqiptarëve në historinë e tyre. Nesër (sot) nis rrugëtimi i bashkimit të shpresave të çdo shqiptari dhe shqiptareje të ndershëm, i besimit të patundur në të ardhmen më të mirë që na pret, i vendimit të madh për të rrëzuar me forcën e bashkimit nga themelet republikën e vjetër të vesit, republikën e vjetër të korrupsionit, republikën e vjetër të krimit dhe drogës, republikën e vjetër të pazareve të ndyra politike, republikën e vjetër të kupolës së vjetër politike, që luajti gjithë këto vite teatrin e ndyrë, teatrin e kukullave në kurrizin e shqiptarëve dhe për të themeluar që nesër përmes forcës së bashkimit republikën e qytetarëve shqiptarë. Nesër bashkohen në këtë shesh si kurrë më parë shqiptarët. Bashkohen të papunët të cilët në 4 vite u gënjyen, u zhgënjyen, u mashtruan, u përbuzën dhe u nëpërkëmbën sepse paratë që duhet të hapnin vende pune përmes investimeve publike apo uljes së taksave për biznesin që të krijonte vende pune i përpiu kuçedra e oligarkisë”, deklaroi Basha.
Thirrja
Në vijim të fjalës së tij, Basha tha do të marrë fund kaosi korruptiv që sipas tij ka përfshirë të gjithë sektorët. “اdo maturantë të zgjedhë degën që dëshiron të studiojë me Republikën e Re në krahun e tij dhe të saj. Me ne bashkohen qindra-mijëra sipërmarrës të vegjël, të cilët kanë përjetuar 4 vite terrori, taksat e larta, inspektorët e pashpirt. Me ne bashkohen me qindra-mijëra fermerë të lënë në dëshpërim, të cilët në 4 vite përjetuan zero subvencione, zero investime, konkurrencë e pandershme, dogana të vëna kryekëput në funksion të oligarkëve dhe korrupsionit qeveritar. Me ne bashkohen në këtë shesh 650 mijë pensionistë të cilët janë trajtuar si qytetar të dorës së dytë, me pensione që u rritën më pak se inflacioni. Bashkohen qindra mijëra shqiptarë, në shtrëngesë ekonomike, që humbën padrejtësisht ndihmën ekonomike, sepse paratë e ndihmës ekonomike i vjedh Edi Rama me çetën e tij të oligarkëve. Me ne bashkohet çdo punëdhënës dhe çdo punëmarrës, në Republikën e Re. Intelektualët, akademikët, sportistët, artistët, truri dhe shpirti i kombit”, tha kreu demokrat. Protesta masive e thirrur të shtunën në orën 12:00, në bulevard para Kryeministrisë si përshkallëzim të qëndrimeve, vjen pas dështimit të asaj të thirrur në Kavajë dhe në një moment kur maxhoranca ka vendosur të shkoi e vetme në zgjedhjet e 18 qershorit, pa pranuar qeverinë teknike për të cilën Partia Demokratike dhe aleatët e saj protestojnë prej 12 javësh.
Apeli
Senatori italian: Jeni heronj të vërtetë, shmangeni dhunës
Nga çadra e Partisë Demokratike, senatori italian Lucio Malani ka porositur protestuesit demokratë që gjatë protestës së sotme që opozita do të organizojë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. “Jeni këtu për 12 javë, jeni heronj të vërtetë. S’e di sa vetë mund të jenë me kaq kurajë të rezistojnë kaq shumë. Në shumë vende ku liria ka kushtuar shtrenjtë nuk e di a mund të kishte njerëz të tillë si Basha që lufton për këto të drejta. Nesër (sot) më thonë se do jetë manifestimi më i madh i shqiptarëve në këtë shesh. Ju që jeni këtu duhet të jeni si shembull për ata njerëz të tjerë që do vijnë këtu. Kundërshtarët shpresojnë që do të ketë tensione të mundshëm por ne s’duhet ta lejojmë këtë, s’duhet të ketë tension. Forca jonë është forca e të qenit në anën e duhur, në anën e drejtësisë. Se liria kalon nga shteti në shtet, por edhe diktatura mund të kalojë nga shteti në shtet”, u shpreh ai.
shekulli.