fcbesia
Anëtar i Respektuar
Nga Ruben Avxhiu/ Illyria
Një student shqiptaro-amerikan nga Staten Island do të jetë mes pjesëmarrësve të zgjedhur që do të kenë fatin të ndjekin në Shtëpinë e Bardhë ceremoninë e betimit të presidentit të parë afrikano-amerikan në historinë e SHBA-së. Frashër Ulaj është zgjedhur që të jetë pjesëtar i një grupi të vogël studentësh që do të udhëtojnë nga e gjithë Amerika për të qenë dëshmitarë të kësaj ngjarje për të cilën do të flitet gjatë në histori.
I pyetur nga gazeta “Illyria” lidhur me këtë mundësi, Frashër Ulaj shprehu njëkohësisht gëzimin dhe emocionin e një mundësie të tillë historike. “Mezi po e pres. Do të jetë një eksperiencë e paharrueshme”, tha ai, për gazetën “Illyria”, që botohet në shqip në New York.
Frashëri, i cili është nxënës i shkollës së mesme në Staten Island, do të marrë pjesë në një program treditor, gjatë të cilit, të rinjtë do të mësojnë për Amerikën dhe historinë e saj. Një numër pesonalitetesh do t’u flasin për rëndësinë e zgjedhjes së Barack Obama-s president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për përparimin e shoqërisë amerikane ndër vite. Ndërmjet tyre do të jenë edhe ish-zëvendës presidenti dhe fituesi i اmimit Nobel, Al Gore, ish-Sekretari i Shtetit gjenerali në pension, Colin Powell etj.
Në një intervistë për kanalin televiziv NY1 lidhur me këtë udhëtim, Frashër Ulaj e quajti fitoren e Barack Obama-s frymëzuese dhe shprehu hapur ambicien e tij për të ecur në rrugën e njeriut që në 20 janar do të betohet si president i vendit. “Ndoshta edhe unë një ditë do të kthehem në Washington si president i Amerikës”, i tha ai gazetares. “Kur je kaq pranë dhe e sheh ngjarjen drejtpërdrejt ke dëshirën të bësh të njejtën gjë”.
I pyetur për këtë ambicie nga gazeta “Illyria”, Frashëri tha se qëllimi i tij për momentin ishte që të studionte me sukses në shkollë ndërkohë që mendon për rrugën që do të zgjedhë në të ardhmen.
Ai ende nuk e ka zgjedhur se për çfarë do të studiojë në universitet, por i pëlqen arkitektura. Sigurisht që në të ardhmen rrugët janë të hapura nëse do të vendoste t’i futej politikës. I lindur këtu në SHBA, Frashëri është i biri i aktivistit të komunitetit shqiptar, Hysen Ulaj.
Frashëri është jo vetëm një student i dalluar por ai është shumë aktiv është jashtë klasës. Ai merret me atletikë, me mësime pianoje dhe me veprimtari të komunitetit rinor ku bën pjesë.
Sigurisht që shqiptaro-amerikanët tashmë kanë zënë një vend të rëndësishëm në shoqërinë amerikane dhe nuk është çudi që shpejt të shohin edhe një brez të ri politikanësh që të dalë nga gjiri i tyre.
Frashëri nuk është i vetëm në ëndrrën e tij që një ditë të jetë një shqiptaro-amerikan që do të betohet përpara kombit në shkallët e Capitol Hill-it. Sigurisht që më parë s’do të ishte keq ta fillonim nga kongresi e asambletë e shteteve. Kjo është toka ku ëndrrat bëhen realitet. Barack Obama është shembulli më i mirë për këtë.
Foto: Frashër Ulaj