L I G J Nr.8328, datë 16.4.1998 PثR Tث DREJTAT DHE TRAJTIMIN E Tث DثNUARVE ME BURGIM
PJESA E PARث DISPOZITA Tث PثRGJITHSHME KREU I OBJEKTI
Neni 1
Ky ligj përcakton të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim, kompetencat dhe detyrat e organeve shtetërore kompetente.
Neni 2
I nënshtrohen rregullave të këtij ligji të gjithë të dënuarit me burgim me vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare dhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare edhe të gjykatave të huaja, duke respektuar kërkesat përkatëse procedurale.
Neni 3
Në raste të veçanta, me kërkesë të organit kompetent dhe me urdhër të ministrit të Drejtësisë, mund të vendosen në institucionet që i nënshtrohen këtij ligji edhe persona të ndaluar ose të arrestuar ndaj të cilëve zbatohen kërkesat e Kodit të Procedurës Penale, si dhe ky ligj, për aq sa nuk vjen në kundërshtim me këtë Kod.
Neni 4
Vuajtja e dënimeve me burgim bëhet vetëm në vendet e caktuara posaçërisht sipas këtij ligji. Ministri i Drejtësisë në raste të gjendjes së jashtëzakonshme, të rrezikimit nga forca madhore, të kryerjes së punimeve të rëndësishme, si dhe kur rrezikohet jeta dhe shëndeti i të dënuarve, mund të urdhërojë që vuajtja e dënimit të bëhet përkohësisht në vende të tjera të përshtatshme.
Neni 5
Respektimi i të drejtave të njeriut
Ekzekutimi i dënimit me burgim bëhet duke respektuar dinjitetin e të dënuarit dhe përshkohet nga ndjenja njerëzore. Trajtimi i të dënuarve bëhet pa njëanshmëri apo diskriminim për shkak të seksit, kombësisë, racës, gjendjes ekonomike dhe shoqërore, pikëpamjeve politike dhe besimit fetar. Të dënuarve duhet t’u sigurohen kushte jetese të tilla që ulin në minimum efektet paragjykuese negative të burgimit dhe ndryshimet me jetën e shtetasve të tjerë.
Neni 6
Kufizimi individual i të drejtave
Të drejtat e të dënuarve, sipas këtij ligji, mund të kufizohen ose të hiqen përkohësisht për shkelje të ligjit ose rregullave të brendshme, vetëm në rastet dhe sipas kritereve të parashikuara në këtë ligj.
Neni 7
Kufizimi në grup i të drejtave
Të drejtat e të dënuarve mund të kufizohen ose të hiqen përkohësisht në grup, me urdhër të ministrit të Drejtësisë vetëm në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të forcës madhore, të kryerjes së punimeve të rëndësishme në institucion ose kur ka rrezik për jetën dhe shëndetin e të dënuarve në atë masë dhe për aq kohë sa përcaktohet në urdhër. Drejtuesi i institucionit dhe në mungesë të tij zëvendësi, për rastet urgjente mund të vendosin kufizime sipas paragrafit të parë të këtij neni
dhe jo më vonë se 24 orë të marrë për këtë miratimin e Ministrit të Drejtësisë.
Neni 8
E drejta e kërkesës dhe ankimit
Të dënuarit kanë të drejtë të paraqesin kërkesa dhe të bëjnë ankime lidhur me zbatimin e ligjit dhe rregullave të brendshme në formën që përcaktohet në këtë ligj dhe në mënyrë individuale. Kërkesat dhe ankesat duhet t’i drejtohen, si rregull, organit kompetent sipas këtij ligji, por të dënuarit kur e çmojnë me vend mund t’i drejtohen cilitdo organ shtetëror ose organizatë joqeveritare brenda dhe jashtë vendit. Nuk lejohet paraqitja e kërkesave dhe ankesave në mënyrë kolektive ose veprime për shkak të tyre në formë të organizuar.
Neni 9
Qëllimi riedukues
Për të dënuarit duhet të realizohet një trajtim që synon riedukimin për integrimin e tyre në jetën shoqërore.
Neni 10
Individualizimi i trajtimit
Trajtimi i të dënuarve duhet të bëhet sipas kriterit të individualizimit në përputhje me gjendjen dhe karakteristikat individuale të secilit të dënuar. Individualizimi bëhet duke verifikuar nevojat individuale dhe duke marrë parasysh kushtet dhe mjedisin në të cilin i dënuari ka jetuar, shkaqet edukative dhe shoqërore që e kanë larguar atë nga jeta normale. Vëzhgimi bëhet në fillim të trajtimit dhe rezultatet e tij verifikohen vazhdimisht gjatë ekzekutimit, duke bërë përshtatjet e duhura.
Neni 11
Programi dhe realizimi i trajtimit
Vëzhgimi, programimi dhe realizimi i trajtimit bëhet nga administrata e burgut me anë të personelit të vet, në bashkëpunim me organet dhe institucionet shtetërore përkatëse.
Kontributi i organizatave joqeveritare dhe individëve të veçantë, inkurajohet dhe mbështetet nga administrata e burgjeve në realizimin e programit të trajtimit.