Dy ditë më parë, lajmi për vdekjen e një vogëlusheje 18 muajshe bëri bujë në mediat italiane. Nëna e saj e kishte harruar në makinë dhe kishte shkuar në punë. Vogëlushja ka qëndruar për më shumë se 4 orë në temperaturë mbi 30 gradë, çka ka bërë që e ëma ta gjejë pa ndjenja kur ka dalë nga puna. Michela, 37 vjeçe, nëna e vogëlushes Gaia, ka rrëfyer historinë mes lotësh.
“E vrava unë. E harrova në makinë, jam unë përgjegjëse për vdekjen” e saj, thotë Michela ndërsa ndaj saj është ngritur akuza e vrasjes.
Michela rrëfen se ishte nisur për të shoqëruar dy vajzat në shkollë dhe kopsht. Pasi ka lënë të madhen në shkollë, ajo ka menduar se e ka çuar Gaiën në kopsht, por në fakt e ka lënë në makinë dhe ka shkuar vetë në punë.
“Isha e sigurt që e lashë të gëzuar në kopsht, që e putha dhe e përshëndeta me dorë teksa largohesha, por në fakt ajo kishte qenë në makinë gjatë gjithë kohës, në sediljen e pasme duke fjetur”, thotë ajo.
Katër orë më vonë, ajo është kthyer te makina dhe thotë se është habitur kur ka parë të bijën brenda. Pasi e ka dërguar me urgjencë në spital, mjekët thanë se vogëlushja kishte një ritëm kardiak prej 220 rrahje në minutë dhe temperaturë 42 gradë.
Bazuar në pretendimet e nënës, ekspertët po verifikojnë në lidhje me një amnezi të përkohshme, që ka çuar në tragjedinë e së bijës.
Edhe pse të dëshpëruar, prindërit kanë vendosur t’i dhurojnë organet e vajzës së tyre.
Shekulli