Titulli: Fotot e rralla: Ja si ishte Tirana e viteve ‘30
Historia e Tabakhones së Tiranës, aty ky dëfreheshin bejlerët
Drini Pilkati
Në krahun e majtë të fillimit të rrugës Elbasanit, pikërisht rreth 200 metra në brendësi të rrugës Ceno Sharra (sot Mihal Grameno), pas viteve 1900 ekzistonte një han (hotel për njerëz dhe kafshë), i cili quhej “Honi i Tabakve”. Quhej i tillë, pasi pronarët e parë të saj ishin banore të pasur të kësaj lagje me mbiemrin Tabaku, prandaj nuk ishte e rastit që kjo lagje të kishte xhaminë, tabakhonen, urën, çezmën dhe Koken e saj me të njëjtin emër.
Më i njohur në fjalorin e tiranasve të vjetër ishte Rrapi i Tabakëve. Që mbas viteve 1900, në Tiranë qarkullonte një shprehje popullore, që unë nuk ia kisha kuptuar asnjëherë kuptimin. Por edhe mbas gjetjes të një fotografie të vjetër të Ymer Balit (stërgjyshit tim) kjo shprehje me ka ngelur më pak enigmë.
Fjala është për një shprehje që në tiransen e vjetër shqiptohej “M’ rrapt Tabakve”. Rrapi i Tabakëve ishte një monument i vërtetë natyror, pasi natyra ja kishte falur atë popullit të Tiranës, por edhe qeveria e saj e ruante atë me shumë rigorozitet. Nuk ishte e rastit që tek ky rrap, Zogu kishte vendosur trekëndëshin e ekzekutimit me varje, për ta bërë atë dëshmitarin e keqbërësve të këtij qyteti (atëherë nuk ekzistonte pandëshkueshmëria e sotme). Jeta e këtij monumenti do të vazhdonte deri në restaurimin e diktaturës komuniste, pasi siç tregonin të vjetrit, ai nuk mund bëhej më dëshmitarë i masakrave të panumërta të diktaturës.
Si gjithë familjet e tjera tiranase edhe Tabakët ishin bujarë. Jashtë hanit të tyre, ata kishin pranuar disa familje me origjinë egjiptiane, që kishin ardhur dhe shërbyer prej kohësh në ushtrinë osmane. Këto familje ishin të zgjedhur nga pashallarët e kësaj ushtrie dhe avash- avash e kishin rrethuar pothuajse atë lagje. Me njohjen e Tiranës si kryeqytet, këtu u përqendruan bejlerë, tregtarë dhe oficerë nga gjithë Shqipëria, të cilët kërkonin mejhane, ku të dëfreheshin si në kohën e Perandorisë Osmane. Tabakët ishin tregtarë të njohur, prandaj në vend të hanit rreth vitit 1920, ata ngritën aty një mejhane nate, duke ja ndërruar emrin e hanit në “Tabakhone”.
Sapo të kaloje urën e Tabakëve, hyje në lagjen me të njëjtin emër, e cila ishte tepër afër me qendrën e Tiranës dhe pazarin e vjetër të saj.
Kjo lagje kishte një pozicion shumë të përshtatshëm për jetë private, duke formuar kështu një gadishull të vërtetë qejfi. Ishte pak a shumë e izoluar nga Tirana, pasi ajo lagej në të dy krahët nga lumi i Lanës dhe Përroi i Palpoçes, i cili më pas derdhej po në Lanë (nën shkollën e Baletit). Tabakhonia ishte një mejhane nate, ku shërbeheshin mezet dhe pije alkoolike, por qëllimi kryesor saj ishte qejfi dhe “ahengjet” me këngë dhe valle popullore të Shqipërisë së mesme. Frekuentuesit e saj ishin elita e bejlerëve, tregtarëve dhe oficerëve të mbretërisë, midis tyre me sa kam dëgjuar unë, edhe Myslym Peza dhe Kamer Qafmolla. I gjithë personeli i saj ishin ezmerë dhe të bukur, duke filluar që nga çingiet (valltaret) me kostumet e bukura popullore, ashtu edhe ahengxhinjtë (muzikantët) e saj të njohur.
Ndër çingijet më të njohura të Tabakhones ishin motrat Meribon dhe Rukija, me kushërirën e tyre, Difen, por nuk ngeleshin pas edhe Myhyrija dhe Sabrija, që ishin po mhallelije. Ato kishin jetuar dhe jetonin në mes të mirave, në disa vila të bukura në rrugën Ceno Sharra (sot Mihal Grameno).
Kur i kam njohur unë, ato ishin gra të thyera në moshë, megjithatë ato ruanin akoma bukurinë dhe autoritetin e dikurshëm. Pas çlirimit, ato jetonin pak si të ndrojtura, pasi mbi ato gra diktatori donte të shkarkonte të gjithë fajin e perversitetit të tij, i cili kishte ekzistuar paralel me ta, por e mbante të fshehur. Prej çingijeve, më nga afër kam njohur Rukijen, pasi ajo banonte afër me shtëpinë e nënëdajës tonë.
Tezja (kështu e thërrisnin të gjithë) ruante akoma një autoritet të padiskutueshëm në familje dhe zotëronte edhe gjuhë të huaja. Midis të rriturve, në familjen e tyre flitej vetëm italisht. Kishte thashetheme, se vilën e bukur ku ajo banonte, ia kishte ndërtuar një i dashur, oficer i lartë i Mbretit, por në të vërtetë ajo thoshte me mburrje se e kishte ndërtuar me paratë e veta. Nga autoriteti, kuptohej lehtë që Rukija kishte komanduar në Tabakhone, e cila në atë kohë kishte pasur fitime të mëdha dhe këtë e vërtetonte me fjalën e saj.
Edhe Difja me kushëririn e saj, Rrem Bilbili, banonin në një vilë tjetër të bukur, përballë Rukijes, vetëm se kishin qenë bashkëpunëtorë e saj në Tabakhone, po ashtu edhe Myhyrija. Vetë tezja nuk ishte e martuar, por motra e saj më e madhe, Meriboni kishte një djalë, i cili kishte 5 fëmijë në dy martesa, 2 me gruan e parë dhe 3 me të dytën. Për mua, në atë kohe ishte një familje shumë e rregullt dhe me mirëqenie ekonomike dhe dy nga djemtë e tij, babai im i ka patur shofer në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës.
Megjithë thashethemet që qarkullonin në Tiranën e prapambetur, çingijet mund të konsideroheshin edhe artiste popullore, pothuajse njëlloj si këngëtaret dhe valltaret e një ansambli popullor. Siç më tregonte një nga bashkëkohësit e tyre: “اingijet ishin femra të bukura dhe ezmere.
Në Tabakhone ato visheshin me kostume kombëtare të Shqipërisë së mesme dhe këndonin, kërcenin, këngë dhe valle të kësaj treve. Ato ishin një përjashtim i kohës dhe kjo ishte e natyrshme, pasi në atë periudhë shoqet e tyre qëndronin të mbyllura, brenda mureve të shtëpive të tyre. Për bukurinë dhe pasurinë e tyre, ato ishin bërë objekt i shumë thashethemeve meskine të kohës. Kishte pëshpëritje për moralin e tyre, por jam i bindur se ishin pak të ekzagjeruara, pasi të dashurit e tyre nuk ishin dosido, por bejlerë dhe tregtarë si dhe trima që shtinin në ajër nga qejfi dhe jo më për të dashurat e tyre.
Ishte e vërtetë që disa bejlerë kishin edhe fëmijë me çingijet e Tabakhohes dhe këtë e mbanin të fshehur, por paguanin për rritjen e tyre.
Më vonë kjo u bë si modë në Tiranë, pasi shumë bejlerë dhe agallarë, filluan më pas të merrnin çingije edhe si shërbyese dhe me to kishin rënë në dashuri. Në shumë rasteve ato kanë qenë trashëguese të pjesshme edhe të pasurisë së tyre”. Siç vazhdon ai: “Një tregtar tiranas kishte marrë me vete çingijen e tij, për të bërë një xhiro turistike në Itali.
Gjatë kësaj xhiroje ishte e padiskutueshme që ai do ti blinte peshqeshe bukuroshes së tij dhe për këtë kishin hyrë në një dyqan të shtrenjtë.
Syri i bukuroshes kishte shkuar menjëherë tek “malli” më i shtrenjtë i këtij “dyqani”, por dyqanxhiu po përdorte të gjithë mënyrat për t’ia heq asaj mendjen prej aty. Por ishte e pamundur, pasi ajo ngulte këmbë dhe këtë ja tregoi edhe të “dashmit” të saj. Menjëherë tregtari shqiptar i hedh dyqanxhiut një qese me flori në banak, duke “i thon” se sa “bon” ai “moll”. I turpëruar dyqanxhiu ndërron menje dhe sa hap e mbyll sytë fillon të ambalazhoj peshqeshin dhe me nënqeshje ja jep atë çingijes”.
Edhe pjesa më e madhe e ahengxhinjve të Tabakhones ishte nga kjo lagje. Mbrëmjet e saj ishin plot qejf dhe aheng. Në muzg brenda në Tabakhone fillonte ahengu dhe siç më kanë treguar banorë të saj: “I pari e ndizte ahengun Rrem Bilbili me klarinetë, pas tij vazhdonin Rrape Maksuti me Llahut (një tip mandoline e madhe) më pas akoma Shabon Bilbili, Meja e Likut dhe Dulla e vazhdonin atë me qemonet e tyre melodioze.
Më pas mbrëmja ncizej mq shumë, kur Sefer Duda i vogël, me dajre dhe vallen e tij delikate, ftonte një nga një në valle të gjitha çingijet “që shkëlqenin” nga napolonat e florinjtë të varura në qafë dhe në brez. Ato tundeshin dhe shkundeshin para te dashurve të tyre të pasur, të cilët nga një gotë në tjetrën, gati sa nuk merrnin flakë nga qejfi”.
Rreth Tabakhones, në baraket e tyre qëndronin të ulur banorë të tjerë të lagjes së Tabakëve, të cilët me mezet e tyre modeste shoqëronin këto mbrëmje edhe nga jashtë saj. Edhe me rënien e mbretërisë së Zogut, aktiviteti i “Tabakhones” u shtua së tepërmi, pasi klientët e saj u bënë edhe shumë oficerë të ushtrisë italiane dhe kjo ishte periudha kur “Tabakhonia” pati shkëlqimin më të madh të saj. Për pasojë çingijet mësuan më së miri gjuhën italiane, e cila i bënte të tërhiqte klientelën e tyre të huaj, ndërkohë që edhe fitimet filluan të shtohen.
Pas çlirimit “Tabakhonja” u mbyll, pasi tanimë ajo ishte jashtë normave të moralit komunist të regjimit, i cili këto gjëra i bënte fshehurazi. Vendin e saj e zunë baraket me llamarinë dhe shtëpitë me qerpiç të kësaj lagje të vogël. Megjithatë banorët e saj vazhdonin traditën e hershme të Tabakhones për muzikë dhe gati çdo fund jave ahengjet e tyre ishin gjithmonë prezente. Pas kësaj periudhe, kjo lagje trashëgoj emrim e Tabakhones, për të cilën banorë e saj kishin edhe pse mburreshin.
Pak më sipër kësaj lagje banonte familja e nënëdajes tonë.
Vëllezërit e saj, Ymer dhe Hysen Bali kishin një bahçe shumë të madhe me rreth 4500 metra katror, e cila ishte e mbjellë me pemë frutore që i kishin sjellë vetë nga Italia.
Pas vitit 1963, aty kishte filluar të ndërtonte shtëpinë e tij edhe daja jonë, heroi Myslym Keta. Pas vrasjes së Myslym Ketës, në vitin 1969 edhe familja ime vendoset me banim afër familjes së tij po në rrugën Mihal Grmeno dhe pikërisht në vilën e Drejtorisë së Pyjeve. Midis shtëpis tonë dhe asaj të Dajës, ndodhej një bahçe shumë e madhe, me rreth 5000 metra katror, të cilën na e kishin lënë në trashëgimi Hysen dhe Ymer Bali.
Komshinj kishim tre vëllezërit Përnaska, të cilët ishin të shumë të njohur në Tiranë, pasi kishin qenë edhe rrobaqepësit e motrave të Mbretit Zog. Jonuzi, Eqeremi dhe Abazi ishin njerëz të urtë dhe të sjellshëm dhe me ta familja ime kishte shumë miqësi. Kjo lagje më hyri menjëherë në zemër, duke e konsideruar si vendlindjen time edhe pse nuk ishte e tillë. Aty u njoha edhe me ahengxhinjtë më të njohur të Tabakhones dhe shumë të tjerë, që rrethonin nga të katër anët shtëpinë tonë. Ishin pothuajse me vegla frymore shumica, por nuk mungonin violinat, xhezi dhe llahuta. Vetëm me lagjen tonë mund të organizoje fare mirë e një bandë muzikore. Listën e fillonte Rrem Bilbili dhe tre djemtë e tij, Bashkimi, Ylli dhe Engjëlli, të gjithë klarinetistë dhe saksofonistë. Përballë tyre banonte Shabon Bilbili me djalin e tij Shaqirin klarinetist dhe saksofonist.
Në të djathtë të Bilbilëve ishte Reshat Hysa (Shari) , një muzikant profesionist në saks, klarinetë dhe fagot me vëllanë Ismailin me xhez. Ngjitur me Shabonin ishte Petrit Tafa (Ramazoni) trombist në bandën e ushtrisë. Më tutje Bim Kerri me vëllain Lulin, si xhezbondist. Më i moshuari nga të gjithë ishte Rrape Maksuti me llahutë, me djemtë e tij, Luanin dhe Bardhylin që të dy saksofonist. Shumica e tyre kanë punuar në Bandën e ushtrisë.
E vetmja enigmë që më kishte mbetur pa njohur nga ahengxhinjtë e Tabakhones, ishte Meja e Likut, e vetmja violiniste femër e Tabakhones. Kisha dëgjuar që ajo banonte aty afër dhe ishte farefis me Rremën dhe Difen. Edhe ajo ishte pjesë e një çudie për atë kohë në Tiranë, pasi ishte shumë e rrallë, që një grua ti binte violinës, aq më tepër në një mejhane që frekuentohesh vetëm nga meshkuj. Siç më tregonin: “Meja e Likut i binte shumë bukur violinës, aq sa me humor thonin, se ajo i binte edhe me një tel”. Edhe me imagjinatën time, nuk ishte e mundur të përfytyroja pamjen e kësaj violiniste edhe pse pa e ditur unë e shihja atë gati çdo ditë.
Kisha filluar vitin e parë në gjimnazin Ismail Qemali dhe rruga e shkurtër për vajtur atje, kalonte pikërisht nga lagjja e vogël e Tabakhones. Në të djathtë, rreth 200 metra përpara urrës që të çonte në këtë lagje, shihja gati çdo ditë një grua të moshuar dhe imcake, e cila qëndronte pothuajse gjithmonë e ulur në trotuarin përpara derës së saj. Derën e mbante të hapur dhe që nga jashtë binte në sy një violinë e varur në murin përballë të dhomës së saj. Kjo violinë ishte për mua një enigmë, pasi nipin e saj Ramazanin, e dija që i binte trombës dhe klarinetës në bandën e ushtrisë.
Kjo grua e moshuar vishej me dimiq të thjeshtë me ngjyrë të zezë (fustan në formë kominoshe me pala deri tek këmbët). Dimiqt ishin veshje popullore e grave tiranase dhe nga zbukurimi i tyre, dallohej edhe gjendja ekonomike e familjeve të tyre. Më të bukurat midis tyre ishin “Dimiqt e Mermerit” të cilat ishin qepur me një pëlhurë krep të hollë, të qëndisur dhe zbukuruar në qafë dhe në bel, me gjerdanë të mbushur me napolona të shumtë floriri. Këto ishin edhe veshjet e çingijeve në Tabakhone.
Një drekë kur po kthehesha nga shkolla, shoh shumë njerëz tek dera e asaj gruaje të moshuar dhe menjëherë e kuptova se kishte ndodhur diçka me të. Befasisht shoh edhe nënën time të dalë nga ajo derë.
Atë ditë ajo ishte kthyer pak si më herët nga puna dhe kishte ndaluar për ngushëllim tek Ramazani, nipi i saj. Ajo më shpjegoj, se gruaja që kishte ndërruar jetë, kishte qenë Meja e Likut. Dhe kjo ishte njohja ime e parë me Mejen e Likut, violinisten e famshme të “Tabakhones”.
b.t.observer