sweetzzinna
Dum spiro, spero くる
Dita e pagëzimit të Krishtit, ose siç njihet ndryshe Dita e ujit të bekuar, që festohet gjithandej ku ka besimtarë ortodoks është kremtuar edhe në qytetet e mëdha të vendit, si në Durrës, Korçë, Vlorë e Gjirokastër. Por në qytetin e gurtë është shënuar edhe një risi. Ndryshe nga gjithë vitet e tjera, në qytetin e Gjirokastrës, asnjë besimtar nuk është hedhur në ujë për të marrë kryqin. Ngurrimi erdhi prej të ftohtit. Ndryshe ka ndodhur në Durrës, ku kryqi që u hodh në det u kap nga një 40-vjeçar edhe pse temperatura minimale e datës 6 dhjetor ishte 0 gradë celsius në qytetin bregdetar. Edhe në qytetin e Korçës, që në këtë stinë është i mbuluar nga bora, i riu Olgert Tona, është zhytur në ujë, ka kapur kryqin, dhe sipas besimit të krishterë është njeriu me fat i këtij viti në këtë qytet. Nga deti jon kryqi u nxor prej Vangjel Dhimitrit i cili sfidoi të ftohtin në qytetin tjetër bregdetar të vendit, në Vlorë.
Gjirokastër
Ceremonia fetare ka nisur nga kisha e Kryeengjëjve ku pas mbajtjes së meshës për këtë rast nga At Theodhori Nikolla, qindra besimtarë ortodoks i janë drejtuar vendit të quajtur “Ura e vjetër e lumit”, mbi ujërat e lumit Drino, ku është hedhur edhe kryqi, si simbol i bekimit të të gjitha ujërave. Askush prej të pranishmëve nuk ka vendosur të hidhet në ujërat e ftohta për të marrë kryqin, që është gjithashtu edhe një shenjë mbarësie. Temperaturat mjaft të ulëta, mjegulla e dendur dhe rrymës e fuqishme e lumit, për shkak të reshjeve të shumta të shiut kanë qenë faktorët kryesorë që kanë stepur besimtarët.
Në këto kushte, pas disa minutash kanë qenë sërish drejtuesit fetarë që kanë tërhequr kryqin, duke shënuar në këtë mënyrë rastin e rrallë.
Korçë
Uji i bekuar është kremtuar edhe në qytetin e Korçës. Ceremonitë kanë filluar me celebrimin e meshës së shenjtë të kësaj dite. Më tej besimtarët pas ankandit të zhvilluar kanë blerë ikona për të pasur më tepër mbarësi dhe shëndet në familjet e tyre. Ceremonitë janë drejtuar nga metropoliti i Korçës, Imzot Johani. Më pas është hedhur kryqi në ujë ku midis një grupi të rinjsh, Kryqi është gjetur për të dytin vit radhazi nga 27 vjeçari Olgert Tona, i cili mori edhe kryqin e shenjtë në duar.
Durrës
Dita e gjashtë janarit, që simbolizon ditën e shenjtë të “Ujit të bekuar” përcillet çdo vit në qytetin e Durrësit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët ortodoks. E kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, për besimtarët durrsak është një prej kremteve më të mëdha të kishës. Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, edhe sot filloi herët në mëngjes në kishën e qytetit. Pas kësaj besimtarët u nis me kryqin në dorë për në portin e Durrësit ku kryhet edhe hedhja simbolike e kryqit. Ceremonia u krye në breg të kalatës nr.4 ku ujërat janë të thella edhe për shkak të temperaturave deri në 0 gradë kanë qenë edhe mjaft të ftohta. Pesë persona, janë hedhur në ujin e detit për të pritur hedhjen e kryqit nga prifti At Nikolla. Këtë vit, kryqi është kapur nga 40-vjeçari, Nikoll Zeneli nga qyteti i Durrësit, i cili i uroj të gjithë besimarët e krishterë për festën.
Vlorë
Rituali i përvitshëm i ceremonisë së ujit të bekuar është zhvilluar edhe në qytetin e Vlorës. At Konstandin, kreu i kishës ortodokse në Vlorë ka hedhur sipas traditës së ritualit të ujit të bekuar kryqin në det. Ceremonia e hedhjes së është zhvendosur pranë molit në Ujë të Ftohtë, në plazhin publik. Vangjel Dhimitri ka qenë besimtari që ka sfiduar këtë vit të ftohtin dhe ka nxjerrë kryqin nga uji. Ai e ka vlerësuar këtë si shenjë bekimi, në një ditë të shënuar për besimtarët ortodoks. Më pas besimtarët kanë mbushur ujë pranë kishës ortodokse dhe kanë ndjekur meshën në këtë ditë të shënuar për ta.
Sipas historiografisë kishtare dita e ujit të bekua, 6 Janari, festohet nga të gjithë besimtaret si dita Shën Trinisë, kur Krishti, pasi mbushi 33 vjet u pagëzua në ujërat e lumit Jordan nga Gjon Pagëzori. Gjatë pagëzimit ai shpalosi 3 pikat unikale të besimit krishterë: Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. E.Bani/A.Grabocka/M.Brunga/A.Peci/