Tiranë, 13 korrik 2011 - Lulzim Basha, fitues i zgjedhjeve të 8 majit, do të mund të marrë detyrën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës brenda 10 ditëve. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, shpjegon se Basha është ligjërisht kryebashkiak i Tiranës, menjëherë pasi Kolegji Zgjedhor la në fuqi vendimin e KQZ së. Sipas këtij vendimi, Basha rezultoi fitues me 93 vota në avantazh ndaj rivalit të tij, Edi Rama. Olli u shpreh se në këtë rast Basha sipas Ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal", duhet t'i drejtohet Gjykatës së Rrethit të Tiranës për të marrë mandatin. Kështu në bazë të Ligjit "Për pushtetin vendor", kandidati fitues paraqitet para KQZ së dhe kërkon prej këtij të fundit një vërtetim për shpalljen e tij si fitues i zgjedhjeve në Tiranë.
Burimi: KOHA.